EKUADOR- Vrasja e 45-vjeçarit Adriatik Tresa është lajmi kryesor i ditës në Ekuador. Mediat vendase kanë zbuluar se për ekzekutimin mafioz që ndodhi dy ditë më parë, janë shoqëruar në polici 8 persona, nga të cilët njëri u procedua penalisht. Prokurori që ka marrë çështjen në dorëzim, Walter Jaramillo, ka thënë se mes të shoqëruarve janë; gruaja e Tresës, vjehrri, tri kunetërit dhe dy rojet e sigurisë. Dyshimet kryesore janë se familjarët kanë fshehur provat, përfshirë këtu edhe telefonin e shqiptarit, për arsye që ende nuk dihen.
“Familjarët e të ndjerit janë përgjegjës për fshehjen e provave në vendin të ngjarjes, pasi ata morën dokumente, një çantë, një makinë dhe telefonin celular të viktimës. Por ende nuk ka detaje të qarta”, tha Jaramillo.
Në momentin e ekzekutimit, krah të riut ishte kunata e tij, 26-vjeçare, pasi fillimisht u dyshua se ishte gruaja, e cila është detyruar nga prokurorët për t’u paraqitur në prokurori për aq herë sa thirret brenda 30 ditëve. Jaramillo gjithashtu ka thënë se janë gjetur 6 prova balistike në vendin e krimit, ndërsa shtoi se ajo që bie në sy ishte fakti se kamerat e sigurisë brenda banesës ishin shkëputur.
“Ata u paraqitën si polici anti-droge. Ajo cfarë është për t’u habitur është që kamerat e sigurisë në shtëpi ishin shkëputur, nuk kishte asnjë grabitje, asgjë nuk ishte hapur, sepse supozohet se bastisja ishte për ‘sqarim’”, deklaroi Jaramillo.
Vrasja e Adriatik Tresës ndodhi dy netë më parë në vilën ku shqiptari jetonte me familjen e re në Ekuador, në qytetin e Guyakilit. Tresa, 45 vjeç, nga Tirana u ekzekutua në mënyrë makabre në shtëpinë e tij, nga një grup prej 7 personash që hynë në banesë duke gënjyer rojet se ishin policë. Ekzekutorët ishin të veshur me jelekë “Policia” dhe mbanin edhe fenelinat ndezur mbi makinë. Një javë më parë, Tresa mundi ti shpëtojë një pengmarrjeje, që ka bërë hetuesit të bindur se shkaku i vrasjes kanë qenë pazaret e prishura të drogës. Shqiptari ka qenë i skeduar në Ekuador për një sërë ngjarjesh kriminale, përfshirë këtu edhe vrasjen e një gazetari në vitin 2013, ngjarje për të cilën u lirua për mungesë provash.