Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) u ka bërë thirrje urgjente qeverive europiane që të përforcojnë në vend që të zvogëlojnë monitorimin e Covid-19. OBSH paralajmëroi për një dimër potencialisht të vështirë pasi një valë e re infeksionesh po përfshin kontinentin.
Hans Kluge, drejtori rajonal i OBSH-së për Europën, tha se ishte “shumë e qartë” se rajoni u përball me një rritje të infektimeve të nxitur nga variantet shumë të transmetueshme të Omicron BA.2 dhe BA.5 dhe se infektimet mund të rriten më shumë në sezonin e vjeshtës për shkak të qëndrimit më gjatë në ambiente të mbyllura.
Kluge tha se rastet e reja ishin trefishuar gjatë gjashtë javëve të fundit dhe afër 3 milionë infeksione të reja u konfirmuan javën e kaluar. Pothuajse gjysma e të gjitha rasteve të reja në mbarë botën janë në Europë, tha ai, ku edhe shtrimet në spital për shkak të virusit janë dyfishuar. Shtrimet në kujdesin intensiv mbeten relativisht të ulëta, tha Kluge, por ndërkohë që rriten nivelet e infeksionit në popullatat e moshuara, pothuajse 3,000 njerëz në javë po vdesin nga Covid.
Kluge theksoi se duhet të rritet vaksinimi i popullatës së përgjithshme, të administrohen dozat e dyta përforcuese për të gjitha popullatat në rrezik dhe të promovohet përdorimi i maskave në transportin publik. Më e rëndësishmja, autoritetet duhet të vazhdojnë të monitorojnë dhe gjurmojnë evolucionin e virusit, i cili mbetet shumë i paparashikueshëm, tha ai. “Shumica e vendeve në rajonin europian e kanë ndaluar ose reduktuar në masë të madhe mbikëqyrjen.”
Deklarata e OBSH-së vjen pas një paralajmërimi të ngjashëm nga Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), e cila tha javën e kaluar se në rajon ka “një rritje të shkallës së infektimeve dhe shtrimit në spital” në të gjithë Europën.