Ish-presidenti i vendit, Ilir Meta është rikthyer në Lëvizjen Socialiste për Integrim. Para medieve Meta tha se rimarrë kartën e anëtarësisë dhe tashmë ‘ky është një agim i ri”. Po ashtu, ish-presidenti tha se është krenar që krijoi partinë në vitin 2004 për integrimin europian të vendit.
“Ja që nuk ka vetëm 24 korrik, por ka edhe 25 korrik,. Një ditë e re një agim i ri edhe një rrugë e re. Erdha sot këtu sepse kisha pak nostalgji për këtë dokumentin e LSI-së edhe sepse jam krenar që kam krijuar në 2004 një forcë politikë për të shpëtuar integrimin evropian që mbahte peng nga PS. Falë atij angazhimi të jashtëzakonshëm të LSI-së u bë rrotacioni që kleptokracia humbi ato mandate. Falë atij rrotacioni Shqipëria firmosi marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit”, tha Meta.
Lëvizja Socialiste për Integrim mban sot në orën 19:00 në Pallatin e Kongreseve, Konventën Kombëtare. Meta prej kohësh kishte paralajmëruar se do të rikthehej në politikën aktive të vendit duke shprehur haptazi se nuk ishte dakord me politikat e ndjekura nga mazhoranca.