Efektivë të RENEA-s në Elbasan kanë ushtruar dhjetëra kontrolle në biznese, automjete dhe banesa, pasi kishte të dhëna se qëndronin elementë kriminalë. Mësohet se këto kontrolle janë bërë për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri apo me lëndë narkotike, për kapjen e personave të shpallur në kërkim, atyre që qarkullojnë me automjete me xhama të zinj të pacertifikuar apo që drejtojnë mjetet nën efektin e alkoolit, në gjendje të dehur ose nën efektin e drogave.
Operacioni ka nisur në orët e pasdites së djeshme, për të vijuar deri në orët e vona të natës, ku janë bllokuar plot 15 makina luksoze të llojeve të ndryshme. Policia e Elbasanit ka njoftuar se mbrëmjen e djeshme janë bërë 171 kontrolle të mjeteve luksoze, nga të cilat janë shoqëruar në komisariat, për verifikim; kanë kontrolluar 285 persona, 30 nga të cilët janë shoqëruar në komisariatet e policisë.