Bashkimi Evropian vazhdoi sot për gjashtë muaj të tjerë sanksionet ekonomike të vendosura ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë. Këshilli i Bashkimit Evropian njoftoi se masat restriktive që synojnë sektorë të caktuar të ekonomisë së Federatës Ruse mbeten në fuqi deri më 31 janar 2023.
Sanksionet përfshijnë ndalimin e importit të arit, naftës dhe qymyrit, ndalimin e eksportit të mallrave luksoze, kufizimet në tregtinë e teknologjisë dhe mallrave me përdorim të dyfishtë dhe përjashtimin e bankave ruse dhe bjelloruse nga përdorimi i sistemit të pagesave ndërkombëtare SWIFT.
BE-ja ka vendosur sanksione që nga viti 2014 për shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, të cilat u zgjeruan ndjeshëm pas fillimit të luftës në shkurt. Që atëherë, BE-ja ka miratuar gjithsej shtatë pako sanksionesh kundër Rusisë, përfshirë sanksionet ekonomike dhe ka zgjeruar listën e zezë duke vendosur ndalime të udhëtimit dhe ngrirje të aseteve të personave që llogariten përgjegjës për luftën.
BE-ja ka një regjim të veçantë sanksionesh për aneksimin e paligjshëm të Sevastopolit dhe Krimesë. Brukseli i bëri thirrje Moskës t’i japë fund “operacionit të saj special ushtarak” në Ukrainë, duke i ofruar Kievit mbështetje ekonomike, ushtarake dhe humanitare.