Katër administratorë janë vënë nën hetim, pasi zunë hapësirën publike në Gjipe, duke vendosur çadra dhe shezlongë pa lejen përkatëse. Gjatë kontrolleve, policia ka sekuestruar 130 çadra dhe shezlongë.
Materialet u referuan në Prokurori për M. Sh., 58 vjeçe, B. Sh., 49 vjeç, A. Z., 64 vjeç, banues të tre në Himarë dhe G. S., 50 vjeç, banues në Tiranë.
“Policia e Himarës vijon kontrollet në vijën bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike, për pushuesit. Lirohet hapësira në vijën bregdetare, në Gjipe, Himarë. Procedohen penalisht administratorët e 4 subjekteve, të cilët zunë hapësirën publike në plazh, duke vendosur çadra dhe shezlogë, pa lejen përkatëse. Në kuadër të planit operacional për kontrollin e vijës bregdetare dhe lirimin e hapësirave bregdetare të zaptuara në mënyrë të kundërligjshme, nga subjekte të ndryshme që vendosin çadra dhe shezlongë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal, për veprën penale “Pushtimi i tokës”, për shtetasit: M. Sh., 58 vjeçe, B. Sh., 49 vjeç, A. Z., 64 vjeç, banues të tre në Himarë dhe G. S., 50 vjeç, banues në Tiranë. Shërbimet e Policisë Himarë, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake Himarë, kanë liruar hapësirën publike, duke hequr 130 çadrat dhe shezlongët që ishin vendosur pa lejen përkatëse, në plazhin e Gjipesë.
Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme”, sipas policisë.