Organizata e Kombeve të Bashkuara ka kritikuar Francën për ndalimin e mbajtjes së shamisë për gratë edhe vajzat e fesë myslimane nëpër shkolla. OKB-ja thotë se Franca ka shkelur një traktat ndërkombëtar të të drejtave të njeriut kur i ndaloi një gruaje që të mbante shaminë gjatë kohës kur ajo vijonte mësimet në një shkollë.
Komiteti për të Drejtat e Njeriut i OKB-së tha se me këtë rast Franca ka shkelur Paktin ndërkombëtar për të drejta civile dhe politike. Vendimi vjen pas një ankese të bërë në vitin 2016 nga një shtetase franceze me datëlindje të vitit 1977. Avokati i saj thotë se ajo nuk dëshiron që t’i publikohet emri.
Gruaja ishte gati për të ndjekur një kurs profesional më 2010, pasi kishte kaluar intervistën dhe testin pranues. Por, drejtori i shkollës së mesme Langevin Wallon, vend në periferi të Parisit, kishte refuzuar që ta linte të hynte në shkollë për shkak të një ndalese që kishte të bënte me veshjen e simboleve fetare në institucionet publike të arsimit.
Komiteti i OKB-së tha se “ndalimi që iu bë asaj që të marrë pjesë në kurs për shkak të shamisë përbën një kufizim të lirisë së saj fetare dhe është në kundërshtim me traktatin”. Ky vendim i komitetit ishte miratuar në mars, por vetëm më 3 gusht iu dorëzua avokatit të gruas që ka bërë ankesën.
“Ky është një vendim i rëndësishëm që tregon se Franca ka punë për të bërë në kuptimin e të drejtave të njeriut dhe në rastin konkret në respektimin e minoriteteve fetare, veçanërisht të komunitetit mysliman”, tha për AFP-në, Sefen Guez, avokati i gruas që iu ndalua ndjekja e kursit për shkak të shamisë.