Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Trade”, nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Tiranë.
Mashtronin shtetas të huaj, për të investuar në bursa fiktive, vihet në pranga administratori i një subjekti call center, procedohen penalisht 5 punonjëse (operatore). Shpallet në kërkim pronari i subjektit
Sekuestrohen 4 aparate celulare, shuma parash të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale, si dhe lista me të dhënat e shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar, për të investuar në bursa fiktive.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Trade”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– L. Ll., 28 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një subjekti call center.
Gjithashtu, u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetaset V. L., 25 vjeçe, E. H., 22 vjeçe, I. P., 22 vjeçe, S. H., 26 vjeçe dhe A. Ç., 22 vjeçe, të pesta banuese në Tiranë, të punësuara si operatore në këtë subjekt.
Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim pronari i këtij subjekti, shtetasi G. C., 31 vjeç, banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi L. Ll. administronte një subjekt privat call center, me pronar shtetasin G. C., në rrugën “Myslym Shyri”. Në këtë subjekt të paregjistruar në organet kompetente ishin të punësuara si operatore shtetaset V. L., E. H., I. P., S. H. dhe A. Ç., të cilat, së bashku me administratorin, telefononin shtetas të huaj, u prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursën fiktive Forex.
Si rezultat i operacionit, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 4 aparate celulare, shuma parash të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale, si dhe lista me të dhënat e shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar për të investuar në bursa fiktive.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe kapjen e shtetasit G. C.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprat penale “Mashtrimi”, “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare” dhe “Fshehja e të ardhurave”.