TIRANË- Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim ka zhvilluar një takim me kreun e SPAK, Arben Krajën. Përmes një postimi në Twitter, Kim shkruan se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vijojnë ta mbështesin punën e SPAK dhe të institucioneve të tjera të reformës në drejtësi. Kraja sapo është kthyer nga vizita zyrtare në Uashington, ndërsa Kim thekson se kjo vizitë do të forcojë bashkëpunimin e Shqipërisë dhe SHBA-së në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Kemi kënaqësinë të mirëpresim sërish kreun e SPAK-ut Arben Kraja pas vizitës së tij zyrtare në Uashington, e cila forcon më tej bashkëpunimin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. SHBA do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm punën e SPAK dhe institucioneve të tjera të reformës në drejtësi.
Ky takim i Kim me Krajën vjen një ditë pas sulmeve që kreu i Partisë së Lirisë bëri ndaj Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, pasi kjo e fundit po vijon hetimin ndaj Metës për skandalin e lobimit në SHBA. SPAK i kërkoi KQZ formularin e vetëdeklarimit të Metës, ndërsa kreu i Partisë së Lirisë sulmoi Krajën duke e quajtur spurdhjak të partisë që ka vendosur t’i shërbejë hapur mafias së inceneratorëve. Ai ka publikoi një kërkesë tjetër të SPAK drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, për t’i vënë në dispozicion certifikatën e Metës. Këtë kërkesë Meta e cilësoi si ‘kërkesë nga karagjozët më të mëdhenj të Ramaformës’.
I menjëhershëm ishte reagimi i Kim, e cila shkroi se pandëshkueshmërisë po i vjen fundi. Ambasadorja amerikane tha se për një kohë të gjatë të pasurit ose të fuqishmit kanë besuar se janë të paprekshëm, por me zbatimin e Reformës në Drejtësi do të bëhet e qartë se ‘ASKUSH’ nuk është mbi ligjin. Ajo theksoi se kërcënimet dhe nxitje për prokurorët e gjyqtarët dhe përpjekjet e tjera për të prishur reformën në drejtësi nuk duhet të pranohen për një vend që aspiron të bëhet pjesë e BE-së.
Kërkesa e SPAK për formualrin e vetëdeklarimit të Metës erdhi në kuadër të hetimeve për skandalin për lobim në SHBA me 700,000 mijë USD të padeklaruara. Kallëzimin e ka depozituar në SPAK ish deputeti Halit Valteri. Kallëzimi penal nga Valteri ishte rrjedhojë i investigimit të gazetës më të madhe austriake, “Kronen Zeitung”, e cila akuzoi se presidenti Ilir Meta pagoi 700,000 mijë dollarë për lobim përmes një kompanie qipriote guaskë, që të siguronte një foto në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit Amerikan Donald Trump.
Meta po hetohet nga SPAK për korrupsion pasiv parashikuar në nenin 259 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim nga 3 deri në 8 vjet. Gjithashtu, Meta po hetohet edhe për falsifikimin e vulave, stampave ose formularëve, parashikuar në nenin 190/3 të Kodit Penal, vepër për të cilën parashikohet nga 3 deri në 7 vite burg.