Samiti i ‘Open Balkan’ në Beograd ka nisur ndërsa në fokus të bisedimeve do të jetë tregtia. Ky takim pritet të finalizohet me heqjen e kufizimeve për tregtinë pa kufizime të ushqimeve. Marrëveshja zhbllokon plotësisht tregtinë mes shteteve të Open Balkan, për të mos u përsëritur situata si ajo kur për shkak të luftës në Ukrainë, Serbia bllokoi grurin për Shqipëri dhe Maqedonia e Veriut vajin.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç hapi samitin duke thënë se duhet firmosur marrëveshja për mos bllokimin e tregtimit të mallrave ushqimore bazë. Gjithashtu përgëzoi Shqipërinë dhe Maqedoninë për procesin e integrimit në BE dhe për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Kryeministri Edi Rama tha se ‘Ballkani i Hapur’ ka bërë të mundur çlirimin e kontratave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për furnizimin me grurë e drithëra. Gjithashtu tha se do të bashkojnë forcat për sigurinë energjitike dhe kanë rënë dakord për një sinergji në mënyrë që të krijohen mundësi.
Përveç tre liderëve, Edi Rama, Aleksandër Vuçiç dhe Dimitar Kovaçevski, i pranishëm është edhe kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazovic, përfaqësues nga Hungaria dhe Turqia. Në orën 13:00 pritet konferenca për shtyp e liderëve të Ballkanit të Hapur. Që prej ditës së djeshme, Rama ndodhet në Beograd, ku u hap Panairi i Verës që është titulluar “Vizioni i Verës” që është organizuar nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut në kuadër të nismës së Ballkanit të Hapur. 250 prodhues nga e gjitha bota marrin pjesë në Panairin 4-ditor, ndërkohë që 22 janë nga Shqipëria.