Qeveria shqiptare po intensifikon bashkëpunimin me Greqinë për të bërë të mundur nisjen e negociatave për njohjen e pensioneve.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministria e Ekonomisë dhe Financave bën me dije se ka nisur diskutimet teknike me autoritetet greke për njohjen e pensioneve, një hap ky që do të shërbente për njohjen e viteve të punës që mijëra shtetas shqiptarë kanë në këtë shtet.
Për këtë qëllim ekipi Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore ndodhet në Athinë, ku po zhvillon biseda informuese në lidhje me skemat e sigurimeve shoqërore që zbatojnë të dyja shtetet, sipas legjislacionit përkatës në fuqi.
‘Ky është një fillim i rëndësishëm që tregon për vullnetin e palëve për t’u ulur në tryeza të tilla diskutimi që synojnë arritjen dhe përmbylljen e marrëveshjes së ndërsjellët mes Shqipërisë dhe Greqisë, aq shumë të dëshiruar dhe të pritur nga bashkatdhetarët tanë.’- njofton ministria e Ekonomisë dhe Financave.
Kujtojmë se edhe mes Shqipërisë dhe Zvicrës pritet që të miratohet se shpejti marrëveshja për njohjen e sigurimeve shoqërore, kjo pasi pak javë më parë kaloi për miratim në parlamentin e Zvicrës. Në kuadër të marrëveshjeve për Sigurimet Shoqërore, Shqipëria ka përfunduar rreth një muaj më parë negocimin teknik të marrëveshjeve me pensionet me Italinë. Marrëveshja për njohjen e viteve të punës i vjen në ndihmë 500 mijë shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Itali.