Kryeministri Edi Rama i cilësoi sot ligësi, trillimet e akuzat e ngritura lidhur me sulmet kibernetike nga një shtet agresor.
Rama tha se këto akuza e trillime tregojnë po ashtu padijen e thellë mbi çështjen.
“Kënaqësia që pjell kaq shumë trillime, shpotitje dhe akuza lidhur me sulmet kibernetike nga një shtet agresor, përveçse për padije të thellë mbi fushën e përtaci të madhe ndaj informacionit, flet për një ligësi të neveritshme në raport me vendin e me njerëzit e këtij vendi!”, u shpreh kryeministri.
Sistemet e pikave kufitare u goditën nga një sulm kibernetik të premten, ndërsa u rikthyen në punë qysh prej mëngjesit të së dielës.
Po ashtu, në 15 korrik, vendi ynë u bë objekt i një sulmi të rëndë kibernetik, i cili kishte si objektiv shkatërrimin e infrastrukturës digjitale të Qeverisë, paralizimin e shërbimeve publike, si edhe grabitjen e të dhënave dhe të komunikimeve elektronike nga sistemet qeveritare.
Nga hetimi rezultoi se agresioni kibernetik u orkestrua dhe sponsorizua nga Republika Islamike e Iranit, e cila ka angazhuar katër grupe për sulmin ndaj Shqipërisë.
Për këtë arsye, Këshilli i Ministrave vendosi në 7 shtator ndërprerjen me efekt të menjëhershëm të marrëdhënieve diplomatike me Republikën Islamike të Iranit.
Sulmi u dënua prej vendeve aleate e mike të Shqipërisë.