TIRANË- Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka komentuar sot sulmet kibernetike të qeverisë së Iranit ndaj portaleve qeveritare. Meta tha se nga këto sulme është cenuar siguria kombëtare, ndërsa i bëri thirrje qeverisë që të bëjë transparencë në lidhje me masat që janë marrë për të forcuar sistemet. Meta tha se duhet të merren menjëherë masa për të mbrojtur sistemet, ndërsa u ndal në akuza edhe për kryeministrin Edi Rama.
Meta e cilësoi kreun e qeverisë si ‘kryehakerues’, duke thënë se ishte Rama ka qenë ai që ka dhënë urdhrin për të hakeruar të dhënat e shqiptarëve. Meta u shpreh se me urdhër të Ramës, patronazhistët kanë përdorur të dhënat e shqiptarëve për shantazh elektoral dhe kështu sipas tij deformoi rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit 2021. Kreu i Partisë së Lirisë i bëri thirrje Prokurorisë që të bëjë një hetim të thelluar, ndërsa i kërkoi edhe zbardhjen e rolit të qeverisë në këtë çështje.
“Kërkojmë marrjen e masave të menjëhershme për të mbrojtur sistemin dhe për të rivendosur besimin e qytetarëve. Nuk mund të mos nënvizoj që në fillim se kryehakeruesi i këtij sistemi është Edi Rama, sepse kjo u provua botërisht nga dalja e të dhënave personale të gati 1 mln qytetarëve para zgjedhjeve dhe përdorimi i tyre nga patronazhistët vetëm për qëllimet të shantazhit elektorale. Ishte Rama që mbështeti gjithë këtë proces kriminal që e shfrytëzoi për të përmbysur vullnetin e popullit shqiptar në zgjedhjet e 21 prillit. U hakeruan pagat, në dhjetor dolën edhe numrat e qytetarëve, targat e makinave, më pas u hakreuar e-albania dhe të dhënat u nxorën nga hakërruesit në shitje, u godit sistemi tims, që është çudi e jashtëzakonshme. U godit edhe aleati. U godit sistemi i Policisë së Shtetit, sa i takon gjobave. U bllokua sistemi i menaxhimit të çështjeve gjyqësore dhe nuk lëshohen vërtetime gjyqësore. Janë hakeruar serverat e kamerave të policisë së shtetit. Të bëhet transparencë se çfarë ka ndodhur realisht, lidhur me masat dhe planin e rivendosjes në punë dhe garantimin e sigurisë së sistemeve. Prokuroria të bëje hetim të theluar, për evidentimin e përgjegjësisë së qeverisë dhe institucioneve të tjera, veprimet dhe mosveprimet që kanë sjellë këtë situatë”, tha Meta.
Për kryetarin e Partisë së Lirisë, sot pas 16 muajsh që kur plasi ‘skandali i patronazhistëve’ siç e quan Meta, hakerimi që bëri vetë Qeveria, nëse prokuroria do të kishte bërë detyrën nuk do të ishim këtu sot.
“Nuk do të kishim 15 muaj sulme të vazhdueshme dhe këtë papërgjegjshmëri totale. Prokuroria vajti tek mediat dhe për të bllokuar serverin e Lapsit dhe ndodhi kjo gjë. Këta njerëz i bëjnë këto gjëra sepse ndihen të sigurt dhe marrin garanci nga ai që ka kapur dhe qytetarët. Kjo masë që ju thoni shkel lirinë e medias por edh enuk zgjidh asgjë. Deri më sot nuk është bërë asgjë. Vetëm dorëheqja e Ramës mund të vendosë besimin tek shteti, institucionet dhe siguria kombëtare dhe publike”, tha Meta.