Vrasja e një vajze iraniane nga policia, me motivin se e kishte vendosur keq hixhabin, një shami e detyeshme për gratë atje, ka shkaktuar zemëratë dhe protesta masive. Demonstratat u përqendruan në Teheran dhe në zonën e Kurdistanit, ku si pasojë e përleshjeve, pati 5 viktima. Dhjetëra gra marshuan pa shami dhe prenë flokët, në shenjë proteste ndaj policisë së Iranit, e cila dhunoi për vdekje pak ditë më parë 22-vjeçaren Mahsa Amini.
Në disa video të publikuara në rrjetet sociale janë parë disa njerëz duke gjuajtur me gurë dhe më pas duke ikur pas të shtënave me armë zjarri. Shefi i Policisë në Teheran, Hossein Rahimi, ka thënë se vdekja e gruas në komisariat ka qenë aksident “fatkeq”, që nuk dëshiron të përsëritet.
Vajza, banore në rajonin e Kurdistanit iranian, ishte me pushime me familjen e saj në Teheran, kur u ndalua nga policia me pretendimin se ishte veshur në mënyrë të papërshtatshme. Vajza u dërgua me një furgon në një komisariat pranë bulevardit Keshvarz në kryeqytet dhe për shkak të dhunës, ra në gjendje kome.
Skaneri i kokës tregoi fraktura të kokës, hemorragji dhe enjte në tru, duke vërtetuar pretendimin e familjarëve për dhunë.
Ershad, policia e moralit, është kthyer në fuqi në rrugë pas viteve të lirisë relative të garantuar nga qeveria e moderuar e Rouhanit. Së fundmi, Ministria për Promovimin e Virtytit dhe Parandalimin e Vesit publikoi një dokument 119 faqesh të quajtur “Projekti Hixhab dhe Dlirësia”, i cili përshkruan rregullore të reja kontrolli, duke përfshirë përdorimin e kamerave të vëzhgimit, për të monitoruar dhe gjobitur gratë pa shami apo për t’u dhënë atyre “mësime morali”