Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka premtuar se 27 vendet e bllokut do të vendosin sanksione shtesë ndaj Rusisë pas asaj që ai e përshkroi si një “përshkallëzim të ri” të luftës në Ukrainë nga presidenti rus Vladimir Putin.
Pas takimit të jashtëzakonshëm jozyrtar të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Borrell u tha gazetarëve se “kemi vendosur të shqyrtojmë sa më shpejt të jetë e mundur masa shtesë kufizuese kundër Rusisë në koordinim me partnerët”.
Kreu i diplomacisë evropiane mblodhi këshillin ad hoc pasi Presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi rekrutim të pjesshëm në vendin e tij, për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore. Pritet të mobilizohen 300 mijë rezervistë.
“Më 21 shtator, Rusia zgjodhi rrugën e konfrontimit duke shpallur mobilizim të pjesshëm, duke mbështetur mbajtjen e “referendumeve” të paligjshme në territoret ukrainase që ka pushtuar dhe duke kërcënuar përsëri se do të përdorë armë të shkatërrimit në masë”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të Borrelll, Peter Stano, në Bruksel.
Shefi i politikës së jashtme tha gjithashtu se BE do të dërgojë më shumë armë në Ukrainë.