‘Luani i Artë’, është një shqiptar nga Vlora i përfshirë në trafikun e emigrantëve të paligjshëm në Britaninë e Madhe. Në një filmim të publikuar nga media britanike ‘Daily Mail’, ai shfaqet duke thënë se fiton rreth 1 milion paund në javë duke dërguar emigrantë në Britani me gomone.
Gazetarëve që po bisedonin me të dhe u paraqitën si klientë i tha se do të fliste për të paguar më pak se 4500 paund që i kishin kërkuar të tjerët.
Gazetarët u prezantuan si çift të rinjsh që donin të niseshin me urgjencë drejt Birtanisë pasi kishin edhe probleme. Ndërsa Luani i cili qëndron pranë portit francez i premtoi se do të niseshin sapo të përmirësohej koha.
Pjesë nga biseda
Luani: Do ju njoftoj. Do ju shkruaj mesazh që në momentin e parë që ta marr vesh.
Vajza: Na thanë ata 4.5.
Luani: Ne do flasim për më pak se aq.
Djali: Mirë, shihe si për veten tënde se kam halle dhe në Shqipëri.
Luani: Do të flasim. I lutem Zotit që të bëhet se koha është problem, as unë, as tjetri. Nëse koha rregullohet, ikim që sot. S’e kam unë në dorë.
Më pas i premtoi se sapo të mbërrinin, autoritetet britanike do t’u jepnin ushqim, batanije dhe gjithçka që u nevojiteshin përpara se t’i vendosnin në një hotel.
“Sa të kaloni, ju japin ushqim, gjithçka. Nëse njerëzit kanë ftohtë, i japin batanije. Më pas ju lënë në kamp. Atje ju mbajnë 1-2 ditë sa t’ju regjistrojnë e të shohin mos jeni në kërkim. pastaj ju nxjerrin ju çojnë në hotel. Më pas ikën ku të duash. Mund t’ju mbajnë në kamp dhe 5 ditë, por edhe 2 orë. Dje e lanë një familje të ikte për 2 orë. Ti je me gruan, besoj se do ikësh shpejt”, tha Luani.
Shqiptari është kapur nga policia franceze disa orë pasi u takua me gazetarët e infiltruar, por u lirua mëngjesin tjetër. “Ai është vetëm një nga një varg bandash shumë të organizuara trafikimi që gjetëm në Francën veriore – njëra prej të cilave ka 600 njerëz në një listë pritjeje për vende në varka të vogla”, shkruan Daily Mail.
Më shumë se 32,000 emigrantë kanë kaluar Kanalin Anglez me varka të vogla deri më tani këtë vit, më shumë se sa kanë kaluar gjatë gjithë vitit 2021. Shqiptarët përbënin rreth 60 për qind të ardhjeve gjatë verës.