TIRANË– Kryetari i PD, Lulzim Basha, ishte në një biznes të produkteve bazë të konsumit në Tiranë.
Gjatë bashkëbisedimit me menaxheren e biznesit Rolanda Cani, kryedemokrati shprehu shqetësimin që bizneset e vogla dhe ato të mesme janë rrënuar nga kriza pa u ndihmuar nga qeveria.
Kryetari i PD, vuri theksin tek pasojat e kësaj krize dhe mungesën e ndihmës nga ana e qeverisë për biznesin.
“Problemi kryesor i kësaj krize që ka 7 vite, por që pandemia e ka rënduar dhe më shumë, është pamundësia e njerëzve për të siguruar ushqimin bazë. Dhe kjo reflektohet pastaj tek i gjithë zinxhiri, edhe zinxhiri prodhues e në veçanti tek prodhimet e vendit. Ju e dini, ne kemi dalë prej javesh me një paketë ndihme për njerëzit që nuk kanë të ardhura. Kemi kërkuar që të gjithë ata që kanë humbur vendin e punës për shkak të pandemisë të kenë një ndihmë direkte nga shteti, kemi kërkuar që çdo familje shqiptare të ketë një ndihmë financiare. Kjo bëhet në radhë të parë për të ndihmuar njerëzit, për të ndihmuar familjet shqiptare, por po u ndihmuan ata do ndihmoheni dhe ju; se ato para çfarë do bëjnë? Do rrisin xhiron. Ata nuk kanë për t’i kursyer këto lekë, do t’i hedhin për të blerë konsumin e përditshëm”, – u shpreh gjatë bisedës kryetari Basha.
Duke marrë shembull biznesin në fjalë, Basha shpalosi idetë e tij dhe të PD për të ndihmuar biznesin në krizë si pasojë e rënies së konsumit.
Basha: Keni dy vite që e keni hapur këtë dyqan këtu. Keni dhe ndonjë pikë tjetër shitjeje?
Punonjësja: Kemi pasur edhe një tek Kodra e Diellit, por e kemi mbyllur për shkak të pandemisë, rënies së xhiros, sepse xhiroja ka rënë shumë, njerëzit janë tërhequr shumë. Kemi klientë që vijnë, shohin dhe ikin…pandemia I ka trembur shumë.
Basha: Sa ka rënë xhiroja, afërsisht?
Punonjësja:Xhiroja?! Afërsisht bëhej 500 … në turn. Ne 500 bëjmë gjithsej, xhiro totale. Ka rënë shumë sepse kemi shumë produkte dhe ato që shiten më shumë janë produktet e bulmetit, buka dhe lëngjes. Produktet bazë. Kemi shumë produkte në dyqan që pothuajse nuk shiten fare.
Basha: Është reduktuar gama e gjërave që blejnë.
Punonjësja: Janë reduktuar çmimet, gjithashtu edhe stafi, sepse këtu ka qenë një pikë që ka pasur xhiro shumë të madhe dhe tani kemi reduktuar edhe stafi që ka qënë pesë punonjës dhe menaxherja gjashtë.