Presidenti Begaj priti sot në një takim ambasadoren e BE-së në Shqipëri Christiane Hohmann.
Kreu i shtetit pohoi se raporti i KE-së do të shërbejë si udhërrëfyes për Kuvendin e Shqipërisë.
‘Prita sot Ambasadoren e Bashkimit Evropian në Shqipëri, znj. Christiane Hohmann dhe u njoha me raportin e progresit për Shqipërinë.
Duke vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme, që Komisioni Evropian dhe vendet e BE-së, i kanë dhënë Shqipërisë gjatë rrugëtimit në procesin e integrimit, konfirmova se anëtarësimi i Shqipërisë në BE është dhe mbetet një prioritet strategjik i dhe objektiv i pandryshueshëm.
Ky raport do të shërbejë si një udhërrëfyes i paanshëm për Kuvendin e Shqipërisë, Qeverinë dhe të gjitha institucionet përgjegjëse për vijimin e reformave në vend.
Konsensusi dhe mbështetja e agjendës së integrimit nga pozita dhe opozita është e domosdoshme për përparimin e reformave dhe adresimin e gjitha çështjeve të ngritura në raport.’- shkroi Begaj.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, e priti gjithashtu Ambasadoren e BE. Ajo i dorëzoi Raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë, 2022.
Kryetarja Nikolla vlerësoi se Raporti përmban arritjet e rëndësishme të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, të cilat shpunë në vendimin e Këshillit Evropian për çeljen e negociatave si edhe rekomandime të rëndësishme për të adresuar e përmbushur më mirë standartet e BE-së në disa aspekte të zhvillimit.
Ka filluar puna për rishikimin e kuadrit ligjor për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit evropian dhe Rregullores së Kuvendit, për përmirësimin e tyre në funksion të forcimit të rolit ligjvënës e kontrollues të Kuvendit gjatë procesit të negociatave të anëtarësimit. Kuvendi po punon gjithashtu për forcimin e kapaciteteve administrative dhe burimeve njerrëzore të strukturave që mbulojnë çështjet e integrimit evropian.
Nikolla vuri në dukje se organizimi dhe programimi i veprimtarive të komisioneve parlamentare do të bëhet në bazë të kapitujve të negocimit dhe komisionet parlamentare do të fokusohen në shqyrtimin ex-post të legjislacionit.
Duke garantuar legjitimitetin demokratik të procesit të integrimit, Kuvendi do të fokusohet edhe në kontrollin parlamentar të Qeverisë dhe realizimin e detyrave të institucioneve të pavarura për plotësimin e standarteve të integrimit evropian.
Ambasadorja Christiane Hohmann vuri në dukje se Raporti pasqyron në mënyrë korrekte arritjet e Shqipërisë dhe rolin e rëndësishëm të Kuvendit në procesin e integrimit. Është e rëndësishme që reformat e nisura demokratizuese dhe integruese të vazhdojnë dhe rezultatet e tyre të jetohen e ndjehen nga qytetarët shqiptarë. Ndryshimi dhe përmirësimi i legjislacionit dhe harmonizimi me standartet e BE-së është një proces i gjatë dhe ndihma jonë nuk do t’ju mungojë.