Mbrojtja ndaj sulmeve kibernetike, ndryshimet klimatike dhe tregtia ishin ndër prioritetet që u diskutuan në takimin e sekretarit të Shtetit, Antony Blinken dhe ministres së Jashtme Olta Xhaçka. Në një postim në Twitter, Blinken shkruan se festojnë dialogun e suksesshëm strategjik ndërsa thekson se SHBA qëndrojnë krah për krah me Shqipërinë.
“Kënaqësi që takohem me miken time, Olta Xhaçka dhe të festojmë një Dialog Strategjik të suksesshëm SHBA-Shqipëri. Ne diskutuam për prioritetet e përbashkëta në reformën demokratike, mbrojtjen, duke përfshirë mbrojtjen kibernetike, ndryshimet klimatike dhe tregtinë. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë krah për krah me Shqipërinë, një aleate prej kohësh”, shkroi Blinken.