Mundësia e aksesit të vendeve të varfra ndaj vaksinës është një nga shqetësimet kryesore të Europës. Këtë shqetësim e ka shfaqur edhe kancelarja Angela Merkel e cila paralajmëroi një proces të ngadaltë teksa liderët europianë premtuan një shpërndarje të drejtë të vaksinës. Ajo tha se do trajtonte këtë çështje me aleancën globale të vaksinave GAVI.
“Do të flasim me GAVI-n lidhur me kohën kur do të nisin negociatat, dhe jam e shqetësuar pasi asgjë nuk është bërë deri më tani. Gjermania rrallë qëndron pa bërë asgjë, por Gjermania nuk mund t’i mbajë e vetme në këmbë, aleancat ndërkombëtare”, deklaroi Merkel. Gjatë samitit të zhvilluar online të organizuar nga Arabia Saudite, shtetet më të pasura premtuan të mbështesin vendet e varfra, ekonomitë e të cilave janë dëmtuar rëndë nga kriza. Në deklaratën përmbyllëse, liderët u zotuan se nuk do të kursenin asnjë përpjekje për të siguruar që të gjithë të kishin qasje të njëjtë të përballueshme ndaj vaksinave apo trajtimeve kundër koronavirusit.