SPAK ka kërkuar rikthimin në qeli të Alqi Bllakos. Së fundmi Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka regjistruar çështjen në ngarkim të ish-deputetit Alqi Bllako, ku SPAK ka ankimuar vendimin për lirimin e tij, duke kërkuar rikthimin e tij në burg.
Gjykata e Apelit ka vendosur të shqyrtojë më datë 9 nëntor, ankimimin që SPAK i bëri vendimit të Gjykatës së Posaçme për lirimin e Alqi Bllakos.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka regjistruar çështjen nr. 180 akti, datë 04.11.2022, në ngarkim të personit nën hetim Alqi Bllako, mbi ankimin e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kundër vendimit nr. 382, datë 06.10.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Trupi gjykues monokratik i përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi caktoi seancën gjyqësore për shqyrtimin e kësaj çështje më 09.11.2022, ora 09:00″, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Ish-deputeti Alqi Bllako u lirua nga gjykata në fillim të muajit Tetor, vetëm 6 muaj pasi u burgos. Ai mori një masë më të butë sigurie, “arrest shtëpie” për akuzat e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës në lidhje me koncensionin e inceneratorit të Fierit.
Masa e sigurisë për Bllakon u ndryshua pas pretendimeve se gjendja familjare është e rënduar, ka fëmijë të mitur për t’u kujdesur dhe se hetimet për dosjen janë drejt fundit.