TIRANË- Rithemelimi ka shtyrë afatin për kandidimin në Primaret që do të zhvillojë Sali Berisha në kuadër të zgjedhjes së kandidatëve për zgjedhjet vendore që do të zhvillohen më 14 maj.
Afati i fundit për depozitimin e kandidaturave do të jetë data 12 nëntor, kjo pasi sipas Rithemelimit të gjitha degët kanë bërë kërkesë për shtyrje afati për shkak të kohës së pamjaftueshme për organizimin e mbledhjeve në çdo nivel strukture në territorin që ata mbulojnë. Por nga ky vendim përjashtohen vetëm 16 degët e Tiranës, ku afati përfundoi një ditë më parë.
‘Në vijim të Udhëzimeve 12 datë 27.10.2022 dhe 13 datë 31.10.2022 “Mbi afatet dhe procedurat e marrjes së propozimeve për kandidatët e PDSH në Primaret për zgjedhjet vendore 2023, Në mbledhjen e datës 7.11.2022, KOKOE shqyrtoi dokumentacionin e ardhur nga degët e PDSH. Pothuajse të gjitha degët kanë bërë kërkesë për shtyrje afati për shkak të kohës së pamjaftueshme për organizimin e mbledhjeve në cdo nivel strukture në territorin që ata mbulojnë. Duke e konsideruar këtë proces shumë të rëndësishëm, me qëllim dëgjimin e mendimeve dhe marrjen e propozimeve nga e gjithë anëtarësia e PDSH, KOKOE Vendosi: Shtyrjen e afatit për vetëkandidim dhe kandidim për Primare në të gjitha degët deri në 12 nëntor 2022. Nga ky vendim përjashtohen vetëm 16 degët e Bashkisë Tiranë.’- njofton Rithemelimi.
Fituesi i primareve do të jetë kandidati i i Rithemelimit dhe Partisë së Lirisë në garën e 14 majit. Pas dorëzimit të kandidaturave, pritet që të bëhet prezantimi i kandidaturave dhe data 4 dhjetor do të jetë ajo e mbajtjes së primareve në të gjitha bashkitë, përveç Tiranës, Elbasanit dhe Durrësit, procesi në të cilat pritet të mbyllet brenda nëntorit.