Presidenti rus, Vladimir Putin nuk do të marrë pjesë në samitin e G20-ës në Indonezi javën e ardhshme, tha të enjten një zyrtar i qeverisë indoneziane, duke shmangur një konfrontim të mundshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj për shkak të luftës në Ukrainë.
Luhut Binsar Pandjaitan, organizues për ngjarjet e G20-ës, tha se vendimi i Putinit për të mos marrë pjesë ishte “më i miri për të gjithë ne”. Presidenti i SHBA-së Joe Biden, presidenti kinez Xi Jinping dhe liderë të tjerë botërorë do të marrin pjesë në samitin dy-ditor që fillon më 15 nëntor.
Ky samit do të ishte hera e parë që Biden dhe Putin do të ishin bashkë në një mbledhje qëkur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt. Presidenti indonezian Joko Widodo është nikoqir i mbledhjes së 20 ekonomive më të mëdha në botë në ishullin Bali.
“Është informuar zyrtarisht se presidenti rus Vladimir Putin nuk do të marrë pjesë në samitin e G20-ës dhe do të përfaqësohet nga një zyrtar i nivelit të lartë dhe kjo është diskutuar nga presidenti Joko Ëidodo dhe Putin në bisedat e mëparshme telefonike”, tha Pandjaitan pas takimit të zyrtarëve të sigurisë. “Çfarëdo që të ndodhë me vendimin e Rusisë, është për të mirën tonë të përbashkët ,” shtoi Pandjaitan, i cili është gjithashtu ministër koordinues i çështjeve detare dhe investimeve.