Ditën e sotme në selinë blu është mbledhur Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike.
Sali Berisha bëri me dije se PD do të paraqesë 23 amendamente dhe do të kërkojë rritjen e pagave me 25% në seancën parlamentare të së enjtes. PD ka kërkuar interpelancë urgjente me kryeministrin ditën e nesërme.
Berisha: Mbledhja është një mbledhje pune shumë e rëndësishme për shkak të rendit të ditës, tepër i veçantë. Janë buxheti i shtetit, për të cilin deputetët e PD-së kanë përgatitur 23 amendamente, kanë thirrur në interpelancë dhe Edi Ramën. Amendamentet e paraqitura përbëjnë natyrisht një përmbysje reale të planifikimit dhe shpërndarjes së buxhetit, nga një buxhet për t’u vjedhur, në një buxhet në shërbim të qytetarëve, nevojave të tyre, rrogave dhe pensioneve të tyre, më të ulëtat në rajon, dhe që me këtë buxhet bëhen edhe më të ulëta siç e paraqitën ata.
Në buxhet, në amendamentet e përgatitura, janë përparësuar, pas rrogave dhe pensioneve, ku kërkohet një rritje 25 përqind e rrogave dhe pensioneve, një rritje shumë e ndjeshme e tyre, janë përparësuar buxheti për arsimin, i cili përsëri është diskriminuar, është përparësuar buxheti për shëndetësinë, janë përparësuar lëvizje dhe masa fiskale në favor të qytetarëve për të ulur përballimin e çmimeve të tmerrshme që ka sot. Do kërkohet ulja e TVSH në 6 përqind për energjinë dhe ushqimet, barazimi i TVSH-së për produktet bujqësore, heqja e akcizës së gazit, limiti i arkës, rimbursimi i të gjitha dëmeve të Covid-it për bizneset.