Will Smith tha se ai “e humbi” kur goditi komedianin Chris Rock në natën e çmimeve ‘Oscars’ në intervistën e tij të parë që nga shuplaka famëkeqe në fillim të këtij viti. “Unë e humba,” tha Smith në “The Daily Show with Trevor Noah” të Comedy Central. “Ky ishte një zemërim që ishte akumuluar për një kohë vërtet të gjatë,” shtoi ai. Aktori i tha Noah se ai “po kalonte diçka” dhe humbi kontrollin atë natë.
“Ajo ishte një natë e tmerrshme siç mund ta imagjinoni,” tha Smith. “Ka shumë nuanca dhe kompleksitete në të, ju e dini, por në fund të ditës, unë thjesht – e humba kontrollin dhe ajo që dua të them është se ju kurrë nuk mund ta dini se çfarë është duke përjetuar një njeri në të vërtetë.”
Smith nuk e zbuloi se me çfarë problemesh po përballej gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve – por tha se shumë gjëra që ai kishte përjetuar i erdhën në kokë menjëherë. Gjithsesi u tregua realist duke u shprehur se asnjë prej tyre nuk i justifikonte veprimet e tij.
“Ishin shumë gjëra. Ishte djali i vogël që pa babain e tij duke rrahur nënën e tij (referuar dhunës që babai i tij ka ushtruar ndaj nënës së aktorit). E gjithë kjo u shfaq në kokën time në atë moment”-tha ai. “Ky nuk është ai që dua të jem.”
Noah gjithashtu shprehu mendimin e tij mbi këtë çështje, duke mbrojtur Smith-in të cilin e njeh prej shumë vitesh. “Unë gjithashtu mendoj se kjo nuk tregon atë që ti je në të vërtetë,” tha ai. “Mendoj se nuk tregon se kush je. Të gjithë mund të bëjnë gabime.” Ylli i “Fresh Prince of Bel-Air” goditi Rock me shuplakë pasi ai bëri një shaka me gruan e tij, Jada, ndërsa prezantoi një çmim në skenë. Will gjithashtu tregoi se si ai ka qëndruar kryesisht jashtë vëmendjes që nga shuplaka e famshme, duke bërë shaka “Unë kam qenë larg, ju çfarë keni bërë?”.
Smith, i cili iu bashkua emisionit për të promovuar filmin e tij të ri “Emancipation”, u përlot disa herë duke përfshirë momentin kur ai ndau një histori të përzemërt se si përfundoi nata e tij pas ceremonisë së çmimeve ‘Oscars’. Smith tha se pa nipin e tij 9-vjeçar pasi u kthye në shtëpi. “Ai është djali i vogël më i ëmbël. Ne erdhëm në shtëpi dhe ai kishte qëndruar deri vonë për të parë xhaxhain e tij. U ulëm në kuzhinën time dhe ai ishte në prehrin tim dhe pyeti “Pse e godite atë njeri, xhaxhi Will?”- tha Smith duke u përlotur.
Smith shtoi se e kupton se si njerëzit u tronditën nga akti i tij i dhunshëm dhe se tani po përpiqet të shërohet dhe të falë veten.