Dita e sotme është historike për vendin tonë, pasi për herë të parë në Tiranë do të mbahet samiti BE-Ballkani Perëndimor. Një samit i përmasave të tilla nuk është organizuar asnjëherë në vendin tonë, ku do të marrin pjesë të gjithë liderët europainë. Temat kryesore për të cilat do të diskutohen në samit, ku mësohet se fokusi do të jetë te lufta në Ukrainë, migracioni, lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar si edhe përforcimi i sigurisë me qëllim parandalimin e ndërhyrjeve të huaja.
Ndalur te lufta në Ukrainë, në fokus do të jenë përballimi i sfidave të përbashkëta që vijnë si pasojë e agresionit rus, e më konkretisht si mund të trajtohen efektet negative që kanë sjellë në energji dhe sigurinë ushqimore në Ballkanin Perëndimor. Samiti do të jetë një mundësi për të diskutuar veprimet e koordinuara për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat janë bërë edhe më të rëndësishme në kontekstin e agresionit rus kundër Ukrainës. Kjo përfshin luftën ndaj manipulimit të informacionit të huaj dhe përmirësimin e sigurisë kibernetike.
Një tjetër pikë mjaft e rëndësishme e përfshirë në axhendë është edhe emigracioni. Liderët Europian do të shkëmbejnë pikëpamjet për menaxhimin e emigracionit duke qenë se ka pasur një rritje të të rinjve nga Ballkani Perëndimor që janë larguar nga vendi, përfshirë këtu edhe Shqipëria. Në diskutim do të jetë politikat e vizave të BE-së dhe bashkëpunimin përe kthimin e emigrantëve. Ata do të diskutojnë gjithashtu se si të forcohet bashkëpunimi kundër-terrorizmin dhe parandalimin e radikalizimit.
Kujtojmë që ky Samit që është një ndër ngjarjet më të rëndësishme për vendin, po zhvillohet në një kohë kur klima politike në Tiranë nuk është e qetë. Kjo sepse po në 6 dhjetor, Sali Berisha ka paralajmëruar një protestë Tirana do të blindohet me forca të shumta sigurie. Rreth 1500 efektivë pritet të jenë në terren për të siguruar mbarëvajtjen e samitit. Niveli i masave të sigurisë duket se do të jenë ‘të hekurta’, gati të njëjta me ato që janë ndërmarrë në kohën kur në Tiranë erdhi ish-sekretari amerikan i shtetit John Kerry apo Papa Françesku.