TIRANË– Kryeministri Edi Rama iu ka kthyer përgjigje të gjithë akuzave, duke thënë se kreu i ri i SPAK nuk zgjidhet as nga qeveria e as nga ambasada, por vetëm nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që është një organ i ri drejtësisë krejtësisht i pavarur. Skenarëve që flasin qeveria po ndërhyn për të zgjedhur kandidatin e saj në krye të SPAK, kreu i qeverisë i ka cilësuar si thashetheme që vijnë nga “foltorjavulorjafallgjorja”, që i referohet 2 palëve të PD-së si edhe Partisë së Lirisë.
“Jam plotësisht dakord me @USAmbAlbania dhe boll me thashethemet e katundit politik e mediatik! Kreun e SPAK s’e zgjedh as qeveria, as foltorjavulorjafallgjorja, as ambasada jo e jo, po një institucion i quajtur Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që varet vetëm nga anëtarët e vet”, shkruan Rama.
Ndërkohë që vetë ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim deklaroi sot se ka takuat një e nga një të gjithë, anëtarët e KLP-së, Rama ka një mesazh të drejtpërdrejtë për ta. Kreu i qeverisë thotë se anëtarët e KLP-së nuk duhet të dëgjojnë askënd e të mos influencohen nga askush për përzgjedhjen e kreut të ri të SPAK, por të shikojnë dhe të vlerësojnë kandidaturat në mënyrë profesionale pa asnjë ndikim të jashtëm.
“Javën e fundit jemi takuar me çdo anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) për të nënvizuar rëndësinë e zgjedhjes së kreut të ri të SPAK-ut, i cili pa frikë e favor do të intensifikojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Procesi i përzgjedhjes nuk duhet të ndikohet nga ata që kanë interes për të kufizuar ose manipuluar hetimet. Ky është thelbi i reformës në drejtësi: drejtësia duhet të jetë e verbër ndaj pushtetit, prokurorët dhe gjyqtarët duhet të jenë të gjithë të barabartë përpara ligjit, institucionet duhet të jenë të pavarura”, tha Kim.
“Anëtarët e KLP të mos dëgjojnë askënd përveç kandidatëve, të mos lexojnë asgjë përveç biografisë profesionale të kandidatëve, të mos influencohen nga askush përveçse nga profili e perfomanca e kandidatëve! Ata japin llogari vetëm para pasqyrës së tyre dhe askujt tjetër”, u përgjigj më tej kreu i qeverisë.
Kreu i ri i SPAK do të zgjidhet në datën 16 dhjetor dhe 3 janë prokurorët në garë, Adnan Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili. Kreu i ri i SPAK zgjidhet në një moment kur jo vetëm ndërkombëtarët por edhe publiku kërkon rezultate, arrestime të zyrtarëve të lartë të implikuar në korrupsion dhe anëtarë të bandave të krimit të organizuar.