TIRANË- Qeveria shqiptare ka firmosur sot me kompaninë turke ‘Bayraktar’ marrëveshjen për blerjen e flotës së 3 dronëve luftarakë, ndërsa parashikon që të tjerë dronë do t’i shtohen flotës vitin e ardhshëm. I pranishëm gjatë firmosjes së marrëveshjes kryeministri Edi Rama tha se blerja e doneve vjen në një kohë kur siguria globale është e kërcënuar, Kreu i qeverisë theksoi në fjalën e tij se dronët do të jenë dobiprurëse për sigurinë kombëtare.
‘Është teknologjia më e lartë e fluturimeve për misione ushtarake, policore dhe civile, në funksion të sigurisë kombëtare, të luftës kundër krimit e kultivimit të paligjshëm të hashashit, të emergjencave civile, mbrojtjes së territorit dhe mbledhjes së informacioneve gjeohapësinore.’- tha Rama.
Për t’u njohur me këto armatime të teknologjisë së lartë, do të trajnohen mbi 30 persona.
‘Më shumë se 30 persona që do përzgjidhen me shumë kujdes me ndihmën e kompanisë Bajraktar që do vihen në një trajnim dhe do përgatiten për të marrë funksionin e qendrës së kontrollit që do jetë objekt i teknologjisë më të lartë në bazën ajrore të Kuçovës’.- tha Rama.
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi tha se vitin e ardhshëm do të plotësohet e gjithë flota për të qenë në shërbim të komunitetit.
‘Modernizimi i Forcave të Armatosura do të jetë në vëmendje të vazhdueshme të qeverisë shqiptare.’- u shpreh Peleshi.
Përfaqësuesi i kompanisë Bajraktar, Lütfü Haluk Bayraktar në fjalën e tij tha se do të hapin në Tiranë një qendër shërbimi. Bayraktari u shpreh se përmes kësaj qendre shërbimi do të bëjnë të mundur që me këto dronë të pajisen edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, jo vetëm vendi ynë.
Kryeministri Edi Rama njoftoi për herë të pare, gjatë vizitës në Stamboll në qershor të vitit 2021 për pajisjen e vendit me disa dronë inteligjentë që do të shërbenin për monitorimin e territorit, që do të mblidhnin dhe do përcillnin dhëna në kohë reale mbi rrugët, bregdetin, tokën bujqësore, pyjet rendin publik e te tjera. Firma ‘Bayraktar Technology’ është e specializuar në hartimin e teknologjive transformuese në fushën e mbrojtjes dhe aviacionit. Pajisja me këta avionë do t’u ofrojë institucioneve të tjera të qeverisë shqiptare një mbështetje të madhe në nivel operacional, në fusha të ndryshm