Presidenti ukrainas ka dalë sot për herë të parë nga territori i Ukrainës që prej fillimit të luftës nga Rusia. Ai ka mbërritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku është pritur në Shtëpinë e Bardhë nga presidenti Joe Biden. Vizita u bë e ditur nga Uashingtoni ndërsa u morën të gjitha masat për siguri maksimale gjatë udhëtimit të presidentit ukrainas.
“Në rrugën time për në SHBA për të forcuar aftësitë elastike dhe mbrojtëse të Ukrainës”, shkroi Zelensky në Twitter.
Ai tha gjithashtu se do të mbajë një fjalim në Kongres dhe do të mbajë një sërë takimesh. Po ashtu dhe Uashingtoni ka konfirmuar se Zelensky do të udhëtojë sot drejt SHBA dhe do të vizitojë Shtëpinë e Bardhë dhe Kongresin Amerikan.
SHBA ka qenë aleati më i rëndësishëm i Ukrainës në luftë, duke dhënë 50 miliardë dollarë ndihmë humanitare, financiare dhe të sigurisë, shumë më tepër se çdo vend tjetër.
Zelensky ka zhvilluar telefonata të rregullta me liderët perëndimorë që nga fillimi i luftës. Por, vizita e tij në Shtëpinë e Bardhë, dhe takimi me presidentin Biden do të sinjalizojë se Uashingtoni është i përkushtuar të mbështesë vendin për aq kohë sa duhet, sikurse është thënë vazhdimisht.
Në konferencën e saj përpara vizitës së Zelensky, Shtëpia e Bardhë konfirmoi një paketë të re prej afro 2 miliardë dollarë ndihmë për sigurinë për Ukrainën. Kjo përfshin një bateri të re raketore “Patriot”, një sistem i sofistikuar i mbrojtjes ajrore që do të ndihmojë Ukrainën të mbrojë qytetet e saj nga raketat dhe dronët rus.