Për shkak të festave të fundvitit, në të gjitha shkollat dhe universitetet e vendit kanë nisur pushimet dimërore që zgjasin gati dy javë. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, shkollat 9-vjeçare dhe të mesme në mbarë vendin do të rikthehen në shkollë më 5 Janar 2023. Sa u takon universiteteve, procesi mësimor do të rifillojë javën e dytë të vitit të ardhshëm, më 9 janar 2023.
Ndërkohë ashtu siç është përcaktuar në udhëzimin e ministrisë, në arsimin bazë këtë vit shkollor do të rikthehen edhe pushimet e pranverës, të hequra prej shumë vitesh. Kështu sipas urdhrit në datat 3-9 prill 2023, nxënësit nga klasa e parë në klasën e 9-të do të kenë pushimet e pranverës.
Ministria e Arsimit ka publikuar gjithashtu datat e provimeve të Maturës Shtetërore 2023. Provimi i parë do të jetë ai i anglishtes, i cili do të zhvillohet më 1 qershor. Provimi i dytë do jetë për gjuhën shqipe dhe letërsinë, i cili është vendosur të zhvillohet me 7 qershor.
Provimi i matematikës, është provimi i tretë për maturantë dhe do zhvillohet më datë 13 qershor. Lënda me zgjedhje është dhe provimi i fundit, i cili do zhvillohet më datë 19 qershor. Si çdo vit, është vendosur që provimet të kenë largësi afërsisht një javë nga njëri-tjetri.
Në datën 31 dhjetor do të publikohet fondi i pyetjeve për provimin e informatizuar për të gjithë ata që duan të studiojnë në programin “Mjekësi e Përgjithshme”, provim i cili do të zhvillohet në muajin gusht. Këto i bëri me dije ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi gjatë një takimi me maturantët në qytetin e Korçës për të diskutuar mbi rregulloren e sapomiratuar të Maturës Shtetërore.
Kujtojmë se disa ditë më parë u mbajt aktiviteti ‘Mësuesi i Vitit 2022’, mbrëmja e kthyer në traditë tashmë nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, për të shprehur mirënjohjen dhe respektin ndaj mësuesve, punonjësve të shërbimit psiko-social dhe oficerëve të sigurisë në shkolla, të cilët japin çdo ditë kontributin e tyre të vyer në shërbim të nxënësve. Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi gjatë fjalës së saj dha disa mesazhe të rëndësishme, ku padyshim mesazhi kryesor ishte angazhimi për mbështetje maksimale.
I pranishëm në këtë aktivitet ishte Kryeministri Rama i cili foli për sfidat e arsimit. Ai tha se drejtimi i shkollave mbetet një sfidë e hapur për qeverinë. Rama tha se nuk është i kënaqur me drejtorët e shkollave në rang vendi. I pranishëm në ceremoninë ‘Mësuesi i vitit 2022’, Rama tha se drejtorët do të kalojnë në ‘filtra’ pasi është e nevojshme që shkollat të drejtohen me përgjegjshmëri në mënyrë që të japin rezultate konkrete.
Mësuesia është një prioritet për qeverinë, ndërsa Rama u shpreh se do të vijojnë ta mbështesin këtë degë ndërsa për studentët tashmë ka ndihmë konkrete. Për ata që ndjekin shkollën e mësuesi, do t’u zerohet tarifa e shkollimit dhe do të përfitojnë bursë në nivelin e pagës minimale.