Pozicion të papranueshëm e quan kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu, qëndrimin e e deritanishëm të Shqipërisë në lidhje me situatën në Kosovë.
Mediu shkruan në rrjetet sociale se vendosja e mbi 5000 trupave Serbe në kufi me Kosovën me gjthë mjetet luftarake është qartësisht agresioni ushtarak, është e njëjta sjellje si e Rusisë me Ukrainën.
“Çfarë duhet të ndodh më që të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare? Presidenti i Republikës, pavarësisht se Këshill ka kohë që ka dalë nga funksioni i tij Kushtetues duhet ta thërras urgjent atë dhe të përcaktojë detyrimet e qeverisë, shërbimeve inteligjente dhe atyre diplomatike për këtë situatë. Çfarë duhet të presë Kryeministri, që ta shtrojmë këtë çështje dhe situatë urgjentisht në NATO? Konsultimi dhe koordinimi me vendet e tjera të NATOS në Ballkan është domosdoshmëri, sepse jo vetëm situata në Kosovë, por dhe ajo në BiH, në Malin e Zi dhe shpenzimet ushtarake të Serbisë me mbështetjen e Rusisë dhe Kinës, janë tashmë një shqetësim real për vendet e Ballkanit, por dhe për aleatët tanë”, apelon Mediu.
Ai bën gjithashtu thirrje që në bashkëpunim me SHBA dhe vëndet e tjera partnere duhet kjo çështje të shtrohet në Këshillin e Sigurimit të OKB. Serbia dhe Vuçiç po ndjekin qartësisht udhëzimet e Rusisë dhe Putinit për të realizuar qëllimet e tyre në Ballkan si dhe për të krijuar një konflikt në rajon, pjesë e strategjisë të deklaruar të Rusisë”, përfundon mesazhi i deputetit Mediu.