Gjykata e Apelit ka lënë në burg Gert Shehun, 31-vjeçari që goditi Sali Berishën. Seanca u zhvillua në orën 12:00, ndërsa avokatët e Shehut kishin kërkuar ndryshim të masës nga ‘arrest me burg’ në ‘arrest shtëpie’ ose shtrim i detyruar në spitalin psikiatrik, por nuk u pranua nga gjykata.
Shehu ka qenë i pranishëm në seancë. Ai ka thënë se do që të ikë në shtëpi se është djalë i vetëm dhe do që të marrë ilaçet.
Gert Shehu mori trajtim në spitalin e Traumës pas lëndimeve që iu shkaktuan nga goditjet pasi qëlloi me grusht Berishën. Shehu nuk ka ngritur padi ndaj truprojave të Berishës. Ditën e protestës së 6 dhjetorit, kur edhe u mbajt samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, Berisha u godit me grusht në fytyrë nga Gert Shehu, 31 vjeç i cili vuante me problemet të shëndetit mendor.