39-vjeçarja Viola Sterjo, ish-drejtoreshe e Mjedisit në Bashkinë e Tiranës, e cila u arrestua për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda dyshohet se ka mashtruar gjithsej 5 subjekte.
Sipas informacioneve të deritanishme subjekteve u ka marrë shuma të konsiderueshme parash në këmbim të premtimeve se do të ndërhynte për të fituar projekte nga AZHBR-ja.
Shumat janë të ndryshme duke shkuar nga 20 deri në 90 mijë euro. Sterjo sipas hetimeve këto shuma i ka përfituar në periudhën mars-nëntor 2020.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në DVP Korçë, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit të Kërkimit në DVP Tiranë, bënë ekzekutimin e urdhrit të Prokurorisë për ndalimin e shtetases V. S., 39 vjeçe, banuese në Tiranë.
Ndalimi i saj u bë pasi, Gjykata e Shkallës së Parë Korçë, me vendimin e datës 26.12.2022, ka caktuar për këtë shtetase masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda. Nga hetimet e kryera rezulton se në periudhën mars-nëntor 2020, nëpërmjet mashtrimit, V. S., dyshohet se ka përfituar në qytetin e Korçës, një shumë të konsiderueshme monetare, me qëllim ndikimin e saj në institucione shtetërore, që qytetarë të ndryshëm të përfitonin fonde monetare nga shteti.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.