Media britanike Daily Mail i ka kushtuar një artikull marrëveshjes për transferimin e 50 të burgosurve shqiptarë nga burgjet angleze drejt Shqipërisë për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.
E përditshmja britanike shkruan se kjo marrëveshje do ta çlirojë Britaninë nga disa kriminelë jashtëzakonisht të rrezikshëm dhe do t’i kursejë taksapaguesve koston e burgosjes së tyre.
Sipas tyre kjo marrëveshje e re mes Londrës dhe Tiranës tregon një frymë në rritje bashkëpunimi midis vendeve.
Në fillim të këtij muaji, kryeministri britanik Rishi Sunak njoftoi një marrëveshje të përbashkët për të përshpejtuar kthimin e shtetasve shqiptarë që bëjnë kërkesa të pabazuara për azil, pjesë e një strategjie më të gjerë për të frenuar emigrimin masiv drejt vendit.
DailyMail thekson se më shumë se 1300 kriminelë shqiptarë ndodhen në burgjet britanike, pra, megjithëse dërgimi i 50 personave është një fillim, kjo nuk sjell asnjë ndryshim të dukshëm, ndërsa sugjerojnë se dëbimi duhet të bëhet automatik menjëherë pas dënimit.
Më pak se gjysma e emigrantëve që mbërrijnë ilegalisht humbasin kërkesat e tyre për azil dhe sipas tyre kjo është thjesht absurde.
“Shqipëria mund të jetë relativisht e varfër, por është një demokraci që aspiron anëtarësimin në NATO dhe BE. Ta karakterizosh si të pasigurt është një fyerje për vendin dhe popullin. Është në interesin kombëtar të Shqipërisë po aq sa edhe të Mbretërisë së Bashkuar që t’i japë fund kësaj farse, nga e cila në fund përfitojnë vetëm trafikantët. Marrëveshjet e reja janë sigurisht një hap në drejtimin e duhur. Por lobi i fuqishëm i migracionit do të luftojë fort kundër çdo reforme kuptimplotë të sistemit të azilit”, shkruhet më tej në artikullin e të përditshmes britanike.