Trajneri i ri i kombëtares Sylvio Mendes Campos Júnior do të prezantohet sot në ambientet e FSHF-së. Sylvinho do të zëvendësojë në këtë detyrë italianin Edoardo Reja, i cili ishte në krye të kuqezinjve për 3 vite e gjysmë.
Sylvio Mendes Campos Júnior, i njohur për publikun si Silvinjo, ka përzgjedhur si ndihmës të tij argjentinasin Pablo Javier Zabaleta Girod dhe brazilianin Dorival Guidoni Junior. Marrëveshja mes FSHF dhe stafit të ri drejtuar nga Silvinjo parashikon një kohëzgjatje 18-mujore deri në përfundim të Euro 2024 dhe aspekti financiar do të bazohet në rezultatet dhe arritjen e objektivave. Braziliani vjen pas dy eksperiencave me Lyonin dhe Corinthiasin dhe rroga e tij do të varet nga objektivi për të shkuar në Europianin e 2024.
Marrëveshja ka në thelb të saj arritjen e objektivit të vetëm që ka Shqipëria në këto eliminatore, kualifikimi për në finalet e Euro 2024. Në rast të arritjes së objektivit është rënë dakord që trajneri dhe stafi i tij të përfitojnë bonuse të konsiderueshme. 48 vjeҫari Silvinjo, i cili vjen me një CV të pasur si lojtar dhe trajner, ka një eksperiencë të pasur si zëvendës trajner menjëherë pas lënies së futbollit dhe trajner më pas. Gjithçka nis në 2011 kur merr pozicionin e zëvendës trajnerit te Cruzeiro, për të kaluar më pas te Sport Recife, Nautico, Corinthias, Inter, zëvendës trajner i Brazilit për tre vite përpara se të merrte drejtimin e Olimpik Lionit në Francë dhe më pas Korinthiasit në kampionatin brazilian.
Në karrierën e tij të pasur si lojtar, Silvinjo është aktivizuar te Corinthias, Arsenal, Celta Vigo, Barcelona dhe Manchester City ku mbylli karrierën e tij.