Dhjetëra mijëra njerëz në Brazil kanë mbajtur mitingje pro-demokracisë, në një përgjigje ndaj sulmit në Kongres nga mbështetësit e ish-presidentit Jair Bolsonaro. Në qytetin më të madh të vendit, São Paulo, turmat brohorisnin se Bolsonaro duhet të shkojë në burg. Rreth 1500 persona janë arrestuar gjatë trazirave të së dielës në kryeqytetin Brasília, trazira të cilat erdhën një javë pasi Presidenti Luiz Inácio Lula da Silva u betua pas zgjedhjeve të tetorit. Protesta u mbajtën edhe nëpër qytete të tjera. Të hënën, mitingje në rrugë u mbajtën në një numër qytetesh dhe qytezash. Një pjesë e Paulista Avenue, rruga më e famshme e Brazilit, u bllokua ndërsa turmat mbushën zonën, duke kënduar, kërcyer dhe brohoritur për drejtësi.
Shumë protestues ishin të veshur me të kuqe, ngjyrat e Partisë së Punëtorëve të Lulës, të tjerë tundnin pankarta ku thuhej “Nuk ka amnisti për puçistët” dhe bënin thirrje për ndëshkimin e përgjegjësve. Nuk kanë munguar edhe thirrjet “Burg për Bolsonaron”.”Unë nuk jam dakord me atë që ndodhi në Brasília – ishte një makth. Nuk jam dakord me ata që besojnë se me demokracinë mund të përdorni fuqinë tuaj për të shkatërruar demokracinë,” tha një protestues BBC.
“Dua t’i tregoj botës dhe vendit tonë se edhe pse ka mijëra njerëz që besojnë se zgjedhjet nuk ishin të vlefshme, këtu në Brazil, ne kemi një numër gjigant njerëzish që besojnë se mund t’i besojmë qeverisë tonë, ne mund t’i besojmë në demokracinë tonë”, tha ai.
Në Sao Paulo, aty ku u mbajt edhe protesta, kishte një prani të madhe policore. Trazirat në Brazil erdhën pasi mbështetësit e ish-presidentit Jair Bolsonaro nuk pranuan ndërrimin e pushtetit. Rreth 3 mijë protestues sulmuan tre institucionet kryesore të Brazilit, Kongresin, Pallatin Planalto (selia e qeverisë) dhe Gjykatën e Lartë. Mbështetësit e Bolsonaros kanë pretendime mbi pa rregullsinë në mënyrën se si u realizuan zgjedhjet e tetorit.
Udhëheqësit e botës kanë dënuar trazirat në Brazil, ndërsa të hënën në mbrëmje, presidenti lideri Lula, vizitoi Kongresin, pallatin presidencial dhe Gjykatën së Lartë së bashku me guvernatorët e vendit, duke dënuar “aktet terroriste” dhe duke u zotuar të ndëshkojë autorët. Rreth 1200 persona u arrestuan nga policia të hënën në mbrëmje dhe 300 të tjerë të dielën. Ndërkohë, Guvernatori i Brasília-s, Ibaneis Rocha është shkarkuar nga posti i tij për 90 ditë nga Gjykata e Lartë. Ministri i Drejtësisë Alexandre de Moraes e akuzoi atë për dështimin për të parandaluar trazirat.