Kryeministri Edi Rama ka ftuar sonte në Tiranë, lideret politikë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut. Ftesa u është drejtuar të gjithë kryetarëve të partive politike që janë të përfaqesuara në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut dhe konkretisht, Bashkimit Demokratik per Integrim, Aleanca për Shqiptaret, Alternativa, Lëvizja Besa dhe Partia Demokratike Shqiptare.
Deri më tani, zyrarisht nuk dihet se cili është qëllimi i këtij takimi, por mendohet se ka lidhje me ndryshimet kushtetuese që ka kërkuar Bullgaria për Maqedoninë e Veriut. Por çështja ka nisur përplasje në Shkup, pasi opozita maqedonase ka deklaruar se nuk do ta votojë ndryshime të tilla dhe kërkon zgjedhje të parakohshme në maj të këtij viti.
Ndërkaq, kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, zbuloi arsyet pse ai refuzoi ftesën e kryeministrit Edi Rama, për të qenë prezent në takimin që do mbahet në Tiranë bashkë me krerët e partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Në një intervistë për Euroneës Albania, Kasami tha se darka e thirrur nga kryeministri i shërben vetëm interesave të BDI-së së Ali Ahmetit.
“Duke pasur parasysh turbulencat brenda BDI-së, ku tani hapur një grup i të rebeluarve funksionarë të lartë të partisë, nga kryetari i Këshillit Mbikqyrës, nënkryetari i partisë, deputetë e kryetar komunash kanë dalë hapur kundër ekzekutivit, ministrave të kësaj qeverie, të cilët edhe ata i vlerësojnë si të dështuar, në këtë situatë më së shumti i shërben BDI-së defokusimi i situatës nga dështimi i saj në qeveri në drejtim të thirrjes së bërë nga Rama për këtë darkë të thirrur për sonte,”-u shpreh ai.