Ish zëvendës presidentja e Parlamentit Europian, Eva Kaili e përfshirë në skandalin e korrupsionit ‘Qatar Gate’ do të qëndrojë në burg edhe për të paktën një muaj. Gjykata refuzoi kërkesën e saj për t’u hetuar në gjendje të lirë. Pas një muaji ajo do të kërkojë sërish lirimin nga burgu. Ajo çfarë ka shkaktuar habi në arrestimin e saj, është fakti se avokatët mbrojtës të Kailit ankohen se eurodeputetja po mbahet në burgjet belge në kushte çnjerëzore mesjetare.
Me vendimin e marrë pasditen e djeshme, Departamenti i Paraburgimit ka konfirmuar paraburgimin për Eva Kailin. Nëse brenda 24 orëve bëhet ankim kundër këtij vendimi, Kaili do të paraqitet në Gjykatën e Apelit të Brukselit brenda 15 ditëve.
Sipas informacioneve, dyshohet se ish eurodeputeti italian, Antonio Panzeri i është referuar Eva Kailit kur ka rrëfyer detaje të reja mbi skandalin e korrupsionit që tronditi PE-në dhe ndoshta edhe kjo ka funksionuar negativisht. Ajo që e shqetësoi veçanërisht mbrojtjen e saj është përshkrimi i 16 orëve në komisariat pa iu dhënë asnjë batanije, siç tha zoti Dimitrakopoulos dhe ky detaj bëri bujë sepse Belgjika fokusohet tek të drejtat e njeriut.