Presidenti Ilir Meta njoftoi mesditën e së martës se vendosi të kthejë për rishqyrtim ndryshimet që iu bënë së fundmi ligjit për policinë.
Sipas Presidentit ndryshimet ligjore bien në kundërshtim me pavarësinë e garantuar nga Kushtetuta të strukturave të drejtësisë.
Ndryshimet e ligjit për policinë qenë propozuar nga shumica socialiste në shkurt të këtij viti, mirëpo u procedua në parlament pas ndryshimeve shtesë të ardhura nga deputeti socialist Alket Hyseni. Ndryshimet i japin “mundësi ligjore shtesë policisë për të përdorur masa të veçanta në luftën kundër krimit të organizuar”, ndërsa me propozim nga deputeti Hyseni në ligj u përfshi edhe një paragraf që flet për rolin e policisë në zgjedhje.
Meta thotë se me ndryshimet ligjore shkelen parimet e ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe rrezikon ta kthejë policinë në një organ që “gjurmon qytetarët jashtë një procesi penal konformë organeve të drejtësisë”.about:blank
Presidenti shkon më tutje teksa thotë se me ndryshimet ligjore policia mund të kthehet në mekanizëm presioni nga qeveria në procesin zgjedhor duke shtuar mundësitë për “urdhëra sipas vullnetit politik, duke cenuar edhe pavarësinë operacionale të policisë”.
Kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla reagoi pas kthimit të ligjit për rishqyrtim duke akuzuar Presidentin se ka qëndrime të kundërta me ato që thotë, pasi mban kontakte me ish-drejtues të policisë, të cilët më parë “i quante të kanabizuar”.