Ministria e Shëndetësisë njoftoi sot për vënien në punë të një tjetër laboratori që do t’i shërbejë Institutit të Shëndetit Publik për të shtuar kapacitetet testuese për COVID-19.
Laboratori u tha se do të jetë në mbështetje të laboratorit qendror të ISHP-së.
“Me të gjitha parametrat e duhur, ky është një laborator i cili siguron jo vetëm gjithë standardet e sigurisë por ka edhe një staf të kualifikuar profesionistësh. Do të jetë një laborator mbështetës për laboratorin qendror, atë të viriologjisë të Institutit të Shëndetit Publik. Është një strukturë mbështetëse e ngritur posaçërisht për të siguruar më shumë lehtësi në kryerjen e testimeve në këtë moment të epidemisë”, tha gjatë një inspektimi ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.
Muajin e fundit autoritetet pothuajse dyfishuan numrin e testeve me një mesatare nga 955 n ë 1,758 teste në ditë.
Sidoqoftë krahasuar me rajonin vendi mbetet me mesataren më të ulët (60,400 teste/1 milionë banorë) në raport me popullsinë duke mbetur prapa edhe Kosovës (72,400 teste/1 milionë banorë).
Prej fillimit të pandemisë në muajin mars, Shqipëria e cila ka një popullsi prej rreth 2.9 milionë banorës, ka kryer 175 mijë testime, ndërsa Kosova, e cila ka 1.8 milionë banorë, ka kryer rreth 135 mijë.
Në Ballkanin Perëndimor për numër testimesh kryeson Serbia, e cila ka kryer mbi 1.6 milionë teste.