TIRANË– Tërmeti i një viti më parë la pas shumë viktima të plagosur, shtëpi të rrënuara dhe familje të cilat u shkatërruan pasi humbën familjarë të tyre. Një prej tyre është dhe Ajet Meçja, oficer policie prej 4 dekadash, i cili humbi në rrënojat e një pallati në Durrës bashkëshorten, vajzën, dhe mbesën e tij vetëm 9-vjeçare.
Për ‘Fax news’, Meçja shprehet se ai kërkon drejtësi, dhe hedh akuza për shtetin, që gërmimet për vajzën e mbesën e tij e ka kryer pa mjetet e duhura.
“Ne ishim mbledhur si çdo familje, biles vajzat erdhën aty me idenë që pallati ynë ishte i sigurt. E kam parë pallatin që shkërmoqej, kam dëgjuar ulërimat e mbesës, gjithçka u shemb brenda në sekondë. Dhe lutesh që të shpëtojë dikush nga të afërmit e tu. Nuk shpëtohen njerëzit me thonj, pas asnjë mjet, specialistët erdhën shumë vonë. Ka një vit dhe ende nuk është bërë drejtësi, unë jetoj kot, shpirtrat e tyre kërkojnë drejtësi. Fatkeqësi e madhe, mos e pastë njeri fatin tim”, shprehet Meçja, të cilit iu shkatërrua jeta para syve një vit më parë.
Tërmeti i 26 nëntorit me magnitudë 6.4 ishte një nga më të fortët që është regjistruar ndonjëherë në vendin tonë. Si pasojë e lëkundjeve të forta u shembën qindra ndërtesa, duke lënë të pastrehë mijëra shqiptarë. Po ashtu humbën jetën edhe 51 persona, të cilët mbetën nën rrënojat e ndërtesave.