Deputeti Kujtim Gjuzi mori fjalën në nisje të seancës plenare, duke iu drejtuar kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, se pse nuk po zbaton masën e Komitetit Teknik të Ekspertëve për të mos pasur grumbullime mbi 10 persona.
Sipas Gjuzit, në sallën e Kuvendit janë 120 deputetë, ndaj dhe nuk është zbatuar akti normativ. Më tej, Gjuzi nxori dhe një kasetë, të cilën tha se do ja dërgonte ministres së Shëndetësisë, pasi në të ishte drejtoresha e Spitalit të Krujës, që largon mjekun nga spitali, ndonëse aty ka mungesa.
Kujtim Gjuzi: Nuk keni zbatuar aktin normativ. Nuk lejohet grumbullimi i më shumë se 10 personave, ne jemi 120. Ju sjell në vëmendje se këtu kam një kasetë të drejtorit të spitalit, që iu kërkon mjekëve t’i cojnë pacientët … Do ia vë ministres sot në dispozicion këtë kasetë. Mjeku gjinekolog Leonard Spaho largohet nga Spitali i Krujës, kur në spital ka dy mungesa. Pse duhet të ndodhë kjo?
Gramoz Ruçi: I kam drejtuar një kërkesë Komitetit të Ekspertëve dhe ministres. Ditën e hënë ata më kanë kthyer përgjigje, ku thonë se në aktin e nxjerrë nuk është përfshirë Kuvendi dhe bëjnë edhe argumentimet përkatëse, që Kuvendi të vazhdojë punën me tre kërkesa: të ruajë të gjitha masat, të mbajë maskat dhe të ulë kohën e qëndrimit në sallë në seanca plenare. Për këtë arsye e ulëm kohën nga 4 orë në 3 orë.