Dubai- Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Dubai. Përmes një video Rama bën të ditur se nga sot do të firmosë marrëveshjen e financimit dhe ndërtimit të 2000 apartamenteve të reja në Durrës, po ashtu edhe marrëveshjen për një program investimesh e përfshirjeje të kompanive më të mëdha të Emirateve të Bashkuara.
Rama e nisi fjalën duke thënë se Princi i Emirateve i hapi derën e shtëpisë së tij dhe i dëgjoi kërkesën e tij. Ndër të tjera kryeministri u shpreh se në Durrës do të ndërtohet porti më i madh në Mesdhe.
“Rastësia e desh që sot në 1-vjetorin e tërmetit të jem në Abud Dabi për të firmosur financimin e 2000 apartamenteve në Durrës. Princi në atë ditë të zymtë hapi derën e shtëpisë së tij dhe ofroi ndihmë. Ministri i rindërtimit dhe agjencia jonë për zhvillim ka punuar ngushtësisht me inxhinierët e vënë në dispozicion nga princi. Qeveria shqiptare do të financojë infrastrukturën e lagjes së re në Spitallë ndërsa sipërmarrësi i Bush Khalifas, godinës më të lartë në Dubai do të realizojë banesat e Spitallës dhe banesat e reja që do të ndërtohen në vend të pallateve të shembura në Durrës nga tërmeti i 26 nëntorit. Me princin kemi dakordësuar edhe përfshirjen në zhvillimin e Durrësit dhe jo vetëm Sot do të firmosim marrëveshjen mes dy qeverive që do t’i hapë rrugën investimeve që do të nisin nga Durrësi. Hirësia e tij rikthehet kështu në Shqipëri për herë të dytë. Për herë të parë ai u ul me shpejtësi në Kukës. Ai rikthehet në Shqipëri pas 20 vitesh jo vetëm për të ndihmuar familjet e prekura nga tërmeti por edhe për na mbështetur për Shqipërinë që duhet duke u bërë pjesë përmes projekteve dhe investimeve afatgjata duke nisur nga Durrësi ku parashohim një investim të parë të madh për transformimin e portit të mallrave në Durrës në një nga portet më rë bukura në Durrës. Edhe njëherë më të keqen e kemi lënë pas”– tha Rama.