Cilat janë efektet afatgjata të Covid-19?
Ky është në të njëjtën kohë aspekti më i rëndësishëm për të ardhmen e atyre që e kanë kaluar sëmundjen, por edhe më i panjohuri sepse studimet e botuara deri më tani kanë mundur të ndjekin vetëm për disa muaj gjendjen shëndetësore të atyre që e kanë fituar betejën me virusin.
Një nga këto studime është botuar në “Jama” nga mjekët e Poliklinikës Gemelli në Itali, Angelo Carfì, Roberto Bernabei dhe Francesco Landi, dhe ka të bëjë me ndjekjen e pacientëve që kanë pasur Covid në formën akute dhe për këtë arsye janë shtruar në spital.
“143 pacientë (mosha mesatare 56 vjeç) kanë lënë spitalin pas një qëndrimi mesatar prej 13.5 ditësh (gjatë së cilës 5% e tyre ishin intubuar). Ne i ekzaminuam ata dy muaj pas fillimit të simptomave – shpjegon Angelo Carfì – dhe në kohën e kësaj vizite vijuese, të gjithë ishin negativë. Vetëm 12.6% nuk ??kishin më asnjë simptomë. 32% kishin një ose dy simptoma dhe 55% kishin më shumë se tre simptoma.
Asnjë prej tyre nuk kishte më ethe ose simptoma të tjera akute.
Simptoma më e zakonshme post-Covid ishte lodhja: 53% e të analizuarve deklaruan se nuk kishin energji të mjaftueshme dhe një ndjesi lodhjeje, e cila në fazën akute kishte qenë në masën 100%“, thonë studiuesit.
Kjo është simptoma më e zakonshme post-Covid edhe sipas një studimi francez të botuar në gusht në “Journal of Infection”: 55% e 120 pacientëve që ishin shtruar në spital për Covid, pas më shumë se 100 ditësh shtrim në spital, vuanin nga lodhja, ndërsa një e treta e tyre kishte probleme me kujtesën. Në studimin e botuar nga Carfì, simptoma e dytë e mbetur (43.4% e pacientëve) është dispnea: domethënë mungesa e ajrit pas një sforcimi të vogël.
Simptoma e tretë më e zakonshme (e pranishme në 27.3% të pacientëve të ekzaminuar nga Carfì dhe kolegët e tij) është dhimbja e kyçeve. “Ne ende nuk kemi siguri, kështu që duhet të përdorim hipoteza – shpjegon Carfì – dhimbja në nyje është me natyrë inflamatore: mund të ndodhë që virusi të jetë fshehur brenda, dhe më pas të shkëputet dhe riaktivizohet. Ose mund të ndodhë që në nyje të ketë një proces riparimi të dëmit të shkaktuar nga virusi: edhe këto procese, në fakt, mund të lëshojnë substanca inflamatore. Pra, simptoma mund të jetë tregues i riparimit të indeve”.