Europol ka organizuar një operacion ndërkombëtar antidroge, duke ekzekutuar masat e arrestit për 45 persona, të cilët akuzohen për trafik droge nga Brazili në Evropë.
Në këtë operacion morën pjesë mbi 1 mijë efektivë policie, të cilët kanë bastisur 180 shtëpi.
Nga hetimet u zbulua se ky rrjet i trafikut të drogës ishte përgjegjës për importimin vjetor të të paktën 45 tonë kokainë në portet kryesore detare Evropiane, me një fitime që kalonin shifrën e 100 milion eurove gjatë 6 muajve.
Ky operacion ndërkombëtar, i udhëhequr nga autoritetet portugeze, belge dhe braziliane, u krye njëkohësisht nga agjencitë e tre kontinenteve Evropës, Amerika e Jugut dhe Lindja e Mesme.
“Shkalla e importit të kokainës nga Brazili në Evropë nën kontrollin dhe komandën e tyre është masive dhe mbi 52 tonë kokainë u kapën nga forcat e rendit gjatë hetimit. Ky operacion thekson strukturën komplekse dhe shtrirjen e gjerë të grupeve braziliane të krimit të organizuar në Evropë.
Shkalla e sfidës me të cilën përballet sot policia në të gjithë botën kërkon një qasje të koordinuar për të trajtuar tregtinë e drogës në të gjithë kontinentet. Angazhimi i vendeve tona partnere për të punuar përmes Europol mbështet themelin e suksesit të këtij operacioni dhe shërben si një thirrje e vazhdueshme globale për veprim” – tha zv.drejtori i Europol-s Wil van Gemert.
Europol gjithashtu tha se për ta bërë të mundur suksesin e këtij operacioni janë mbështetur edhe nga Franca dhe Holanda, të cilët kanë identifikuar objektivat e rrjetit të drogës nëpërmjet teknologjive të avancuara. Autoritetet gjithashtu njoftuan se kanë kapur 70 automjete luksoze në Brazil, Belgjikë dhe Spanjë gjatë bastisjeve, si dhe 37 aeroplanë në Brazil.
Gjithashtu sekuestruan mbi 12 milion euro në Portugali, 300 000 € në Belgjikë dhe mbi 8 milion euro në Brazil. Ndërkohë që 163 prona u sekuestruan në Brazil me vlerë më të madhe se 20.7 milion euro, si dhe 2 shtëpi në Spanjë me vlerë prej 4 milion €, dhe 2 apartamente në Portugali me vlerë 2.5 milion €.