Teksa numri i të infektuarve me korovirus rriten në vend, i tillë është edhe fluksi në spitalet Covid. Një tejmbushje me pacientë evidentohet edhe në dyert e spitalit “Shefqet Ndroqi” në kryeqytet, në dyert e të cilit presin 6 autoambulanca.
Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj foli për të gjithë procesin e menaxhimit të pandemisë, duke përmendur edhe denoncimet për ezaurim të kapaciteteve spitalore. Sipas tij, nuk kemi të bëjmë me ezaurim të kapaciteteve, por pritja në ambulancë e rasteve që presin të shtrohen në spitalet Covid ndodh për shkak se bëhet vlerësimi i rasteve. Ai tha se nëse në një të ardhme do kemi ezaurim të kapaciteteve do të nisë trajtimi i pacientëve në shtëpia, korridore, hotele edhe stadiume si e gjithë bota.