TIRANË– Prokuroria ka kërkuar që të zbardhen komunikimet mes të arrestuarve për vrasjen e Hekuran Billës.
Pesë muaj pas ekzekutimit që tronditi kryeqytetin, mësohet se organi i akuzës u ka dërguar shkresë dhe është në pritje të tabulateve telefonike, të mesazheve apo bisedave zanore të shkëmbyera mes hasmit të viktimës Viktor Marku, i cili është lënë në burg, Gjekson Pusit, Sebastian Malit, dhe të Adjola Lakrës, e cila ishte edhe partnerja e viktimës.
Përmes tabulateve telefonike, do të arrihet të zbardhet vendndodhja e të akuzuarve, para dhe pas ngjarjes.
Hekuran Billa u ekzekutua më 12 qershor pranë “Qendrës Kristal” në Tiranë. Në orën 21:48 të së enjtes, biznesmenit iu pre rruga teksa udhëtonte me mjetin e tij, të llojit ‘BMË X6”, nga ekzekutori, i cili dyshohet se është vëllai i Prel Markut, Viktori.
Ky i fundit qëlloi me armë zjarri në drejtim të tij, dhe iu deshën vetëm 3 sekonda për të vrarë biznesmenin. Hekuran Billa është i përfshirë në trafikun e drogës në Angli dhe në rrjetin e prostitucionit. Në vitin 2006 ai ka ekzekutuar me armë zjarri 22-vjeçarin Prel Marku, ngjarje për të cilën ishte dënuar me burg të përjetshëm, por u lirua nga gjykatat shqiptare.
Pikërisht ky krim, dyshohet se solli edhe vrasjen e Billës nga familjarët e Markut, që pritën 14 vite për tu hakmarrë. Por pavarësisht akuzave të ngritura, Viktor Marku e ka mohuar autorësinë e krimit.