Turqia ka vendosur të rikthejë sërish shtetrrethimin për të frenuar përhapjen e koronavirusit.
Lajmin e ka bërë të ditur Presidenti, Rexhep Tajip Erdogan, i cili deklaroi se “qytetarët nuk do të jenë në gjendje të largohen nga shtëpitë e tyre midis orës 21:00 dhe 5 të mëngjesit gjatë ditëve të javës, ndërsa në fundjavë bllokimi do nisë që në orën 21:00 të së premtes deri në orën 05:00 të së hënës”.
“Nuk ka zgjidhje tjetër për të ndaluar përhapjen përveç kufizimit të lëvizjes së qytetarëve sa më shumë që të jetë e mundur”, tha presidenti turk në fjalën e tij.
Disa sektorë, të tilla si zinxhirët e furnizimit dhe prodhimit, do të përjashtohen nga masat, të cilat do të hyjnë në fuqi nesër.
Numri i të vdekurve nga koronavirusi në Turqi ka arritur një rekord të ri për të tetën ditë radhazi, sot, me 188 vdekje në 24 orët e fundit, sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë e vendit.
Numri i rasteve të reja, përfshirë ato asimptomatike, për 24 orët e fundit gjithashtu u rrit në nivele rekord, me 31,219 infeksione.
Numri i përgjithshëm i të vdekurve që nga fillimi i pandemisë në mars është 13.746.