Tiranë- Kryedemokrati, Lulzim Basha ka reaguar në lidhje me raportin e publikuar nga FMN, ku rekomandon që të hiqet dorë nga shpenzimet jo prioritare, në mënyrë që të ketë fonde të lira për të përballuar emergjencën. Ky është një paralajmërim i fortë për qeverinë, e cila deri tani nuk është kursyer në shpenzimet në prag zgjedhjeve.
Basha ka theksuar se kjo është një çështje që PD e ka kërkuar nga qeveria muaj më parë.
“Fondi Monetar Ndërkombëtar publikoi një raport kritik mbi situatën ekonomike në Shqipëri. Raporti konfirmon atë që ne i kemi kërkuar qeverisë Rama për muaj me radhë: të japë më shumë ndihmë financiare familjeve shqiptare. Raporti thekson: “Paketat e mbështetjes COVID-19 të Shqipërisë janë më të vogla se mesatarja e atyre në tregjet në zhvillim dhe Ballkanin Perëndimor”. Shqipëria është ndër vendet që ofrojnë ndihmën më të vogël ekonomike për qytetarët! Qytetarët shqiptarë meritojnë më shumë. Shqipëria meriton një qeveri që kujdeset për njerëzit dhe jo për veten e vet.“- shkruan Basha në Facebook.