Komisioneri i Administratës së Ushqimeve dhe Barnave (FDA) Stephen Hahn tha të martën se ka mundësi që “agjencia të miratojë vaksinën e firmës Pfizer për Covid-19 deri në mes të dhjetorit, nëse gjithçka shkon mirë”, por kjo mund të zgjasë edhe më shumë. I pyetur nëse një vaksinë mund të jetë në dispozicion ditë ose javë pas një takimi të planifikuar të 10 dhjetorit, në të cilin këshilltarët ekspertë të FDA-së do të shprehen pro ose kundër miratimit, zoti Hahn tha: “është e vështirë të parashikosh.” Zakonisht, FDA ndjek rekomandimet e komisioneve këshilluese. Vaksinimet e para për koronavirusin mund të kryhen përpara fundit të vitit nëse gjithçka shkon sipas programit.
Kompania bioteknologjike Moderna njoftoi të hënën se FDA pritet të shqyrtojë nëse do t’i japë autorizimin rreth datës 17 dhjetor. Moderna pason kompanitë e tjera të barnave, Pfizer dhe BioNTech, të cilat janë planifikuar të jenë në një takim me FDA-në më 10 dhjetor.
Ritmi i zhvillimit të vaksinës ka qenë i paprecedent, për një vaksinë të re ndaj një sëmundjeje që ishte e panjohur një vit më parë. Në gati pesë dekadat e punës së tij për imunizimet, drejtori i asociuar i Qendrës së Universitetit Emory për Vaksinat, Ëalter Orenstein, thotë se nuk ka parë kurrë diçka të tillë më parë.
“Është shumë impresionuese të kemi vaksina kandidate të disponueshme për përdorim masiv në një periudhë kaq të shkurtër”.
Kompanitë dhe qeveria amerikane caktuan miliarda dollarë për zhvillimin e vaksinës, fonde të cilat zoti Orenstein thotë se u mundësuan atyre të përparonin me kaq shpejtësi pa dëmtuar sigurinë. Shpërndarja pritet të fillojë menjëherë, sapo FDA-ja të japë dritën jeshile për secilën kompani prodhuese. Kompanitë Moderna dhe Pfizer/BioNTech kanë publikuar rezultate nga provat klinike që tregojnë se vaksinat e tyre janë mbi 90% efikase.
FDA-ja do të shqyrtojë më nga afër të dhënat e plota, një pjesë e të cilave i janë bërë të ditura publikut. Komiteti do t’i kushtojë vëmendje veçanërisht të lartë të dhënave të sigurisë, të cilat nuk janë publikuar plotësisht.
Efektet dytësore të njoftuara deri më tani nuk kanë qenë serioze, por megjithatë nuk kanë qenë të vogla. Ndër to janë dhimbjet e kokës, dhimbjet e muskujve, temperatura dhe këputja, të cilat mund të merren edhe si shenja të gripit apo edhe të vetë COVID-19ës, sëmundjes së shkaktuar nga koronavirusi. Këto simptoma përgjithësisht u fashitën në një periudhë rreth njëditore. /VOA